20:31 / E Premte, 13 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kush manipulon me votën, e pret ky dënim!

Kanë mbetur edhe pak ditë që të fillojë procesi zgjedhor i nivelit lokal në Kosovë. Për monitorimin e këtij procesi do të përkujdesen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe OSBE-ja.

Të njëjtat institucione kanë treguar  ditë më parë se kanë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky proces të vijoj  pa incidente.

Por, lidhur me këtë janë deklaruar edhe organet e drejtësisë. Në një prononcim për ‘Indeksonline’, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka treguar se Prokuroria që ai e udhëheqë është mobilizuar me të gjitha masat e nevojshme për zgjedhjet lokale.

Sipas Bekës, janë angazhuar disa prokurorë që do të merren me këtë proces.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë është mobilizu dhe kanë marr të gjitha masat e nevojshme. Për këtë ka caktu një numër jashtëzakonisht të madh të prokurorëve rreth njëzet (20) prokuror të cilët që nga tani do të përcjellin procesin e zhvillimit të fushatës zgjedhore dhe zgjedhjet”, ka thënë Beka.

Më tej, ai ka treguar edhe komunat që do t’i përcjellë kjo prokurori. Sipas tij, kodi penal i Republikës ka parashikuar  kapitull të veçantë të veprave penale të cilat edhe shkaktohen gjatë  procesit të votimit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të përcjell këto vendvotime si komunën e Prishtinës ,Podujevës ,Drenasit ,Lipjanit ,Fushë Kosovës, Obiliqit dhe në komunën e Graçanices. Në zgjedhjet e kaluara nuk kem pas raste për tu përmendur përveç disa incidenteve që nuk kanë ndikuar në procesin e zgjedhjeve të kaluara të nivelit qendror. Kodi penal i Kosovës ka parashikuar kapitullin e veçantë të veprave penale që shkaktohen lidhur në procesin e votimit”, ka thënë më tej ai.

Tutje, Beka përmend edhe disa raste që mund të shkaktohen në këtë proces. E që sipas tij, kryerësve të këtyre veprave penale mund t’ju shqiptohet dënimi prej disa vite burg.

“Ndër veprat më të shpeshta që mund të shkaktohen  në proceset e zgjedhjeve janë : cenimi i të drejtës për të kandiduar, kanosja e kandidatit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, dhënja e marrjes se ryshfetit në lidhje me votimin , keqpërdorimi i drejtës së votimit etj.  Kurse dënimet mund të jenë varësisht nga vepra penale e kryer prej 1 deri në 5 vjet burg”, është shprehur Beka.

Në fund, kryeprokurori Beka ka premtuar se prokuroria e cila udhëhiqet nga ai për çdo veprim të kundërligjshëm do të veproj në suaza të kompetencave të saj me qellim që zgjedhjet të jenë sa më të lira dhe fer. Po ashtu, do të mbroj votën e lirë e cila është bazament kryesor i demokracisë”, ka përfunduar Beka.