75 Mall Live Search
15:43 / E Martë, 30 Dhjetor 2025 / P M

Kushtetuesja gjen shkelje në një procedurë trashëgimie që ka zgjatur mbi 24 vjet në Gjykatën Themelore të Gjakovës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI81/25, të parashtruar nga Adem Shehu, përmes së cilit është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurave në lidhje me lëndën [T.nr.29/2000] në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Në komunikatën e saj, Gjykata bën të ditur se, njëzëri, ka deklaruar kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm.

“Gjykata konstatoi se për më tepër se 24 (njëzetekatër) vjet, çështja e parashtruesit të kërkesës nuk ka marrë epilog, meqë procedura është ndërprerë dhe kjo vonesë është e pajustifikueshme”, thuhet në aktgjykim.

Si rezultat i këtij konstatimi, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Gjykatën Themelore në Gjakovë që, jo më larg se më 11 mars 2026, ta informojë Gjykatën Kushtetuese lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e këtij aktgjykimi, në përputhje me Rregulloren e punës.

Rrethanat e rastit ndërlidhen me një procedurë jokontestimore për ndarjen e trashëgimisë. Sipas komunikatës, parashtruesi i kërkesës më 7 nëntor 2000 kishte dorëzuar kërkesën për zbatimin e procedurës së trashëgimisë së lënë pas nga nëna e tij në Gjykatën Komunale në Gjakovë. Më 1 shkurt 2002, kjo gjykatë e kishte ndërprerë procedurën deri në përfundimin e disa lëndëve kontestimore që lidhen me ngastra kadastrale.

Gjykata Kushtetuese thekson se procedura ka mbetur e ndërprerë që nga viti 2002 dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot. Parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se kjo ndërprerje e zgjatur cenon të drejtat e tij kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor.

Në vlerësimin e pretendimeve, Gjykata ka rikujtuar parimet e praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore, duke analizuar kompleksitetin e rastit, sjelljen e palëve dhe të autoriteteve shtetërore, si dhe rëndësinë e çështjes për palën në kontest.

“Gjykatat nuk mund të lejojnë që rastet gjyqësore të mbeten pafundësisht të pazgjidhura në një instancë gjyqësore dhe periudha prej më tepër se 24 vitesh në pritje të zgjidhjes së lëndës civile i atribuohet organeve gjyqësore”, thekson Gjykata në aktgjykim.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Gjykata Themelore në Gjakovë ka cenuar të drejtën e parashtruesit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe ka kërkuar ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshëm procedural për të përmbyllur çështjen juridike lidhur me lëndën [T.nr.29/2000], në përputhje me gjetjet e këtij aktgjykimi.