75 Mall Live Search
19:18 / E Mërkurë, 26 Qershor 2024 / S Z

Kushtetuesja i jep të drejtë qeverisë për pagën minimale, veteranët paralajmërojnë protesta

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për pagën minimale. Në këtë ligj nuk parashihet që paga minimale të lidhet me pensionin e veteranëve, andaj Organizata e Veteranëve të Luftës ka paralajmëruar protesta si masë kundërshtimi për këtë vendim.

“Gjykata, ka vendosur njëzëri, që të konstatojë që neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

E një vendim i tillë po kundërshtohet nga Organizata e Veteranëve të cilët thonë se e gjithë kjo është bërë qëllimshëm nga pushteti aktual.

“U dashtë edhe Gjykata Kushtetuese me pasë parasysh që disa ligje që kanë qenë në fuqi para shumë viteve me një ligj Qeveria e Kosovës i ka hek ato ligje apo i ka ndryshuar ose i ka shkatërruar ato ligje. Me nis ashtu me i dhënë të drejtë Qeverisë me bë çdo gjë e me keqpërdor shumicën në Kuvend atëherë kjo Qeveri mund t’ia heqë edhe Kosovës pavarësinë dhe Gjykata Kushtetuese me thënë ka të drejtë se unë e di që Qeveria ka drejtë me bë ligje, Kuvendi me miratu ligje”, ka thënë Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së

Kryetari në detyrë i kësaj organizate paralajmëron edhe protesta ndaj këtij vendimi.

“Ne kemi thënë që presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse e kthen në favor të Qeverisë natyrisht se kemi thënë që do të vazhdojmë me protesta ne do të takohemi me organet tona dhe për format dhe kohën e protestës do të njoftohet opinion me kohë”, ka thënë ai.

I mllefosur me  vendimin e Gjykatës është edhe Arton Hoti i cili është edhe invalid i luftës.

“Është koordinuar kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari me Listën Serbe për t’i votuar dhe për të ndryshuar ligjin për përfshirjen e veteranëve në pagat minimale. Është e turpshme, shumë e turpshme shumë luftëtarë i thonë vetes luftëtarë të UÇK-së që janë në parlament dhe ata e çuditshme pa turp, për interesa të tyre e votuan projektligjin për heqjen e veteranëve nga përfshirja në pagën minimale”, shprehet ai.

Veteranët kishin protestuar disa herë para Kuvendit të Kosovës ku kishin kundërshtuar një ligj të tillë, sipas të cilit tashmë, pensioni i veteranit do të përcaktohet me vendim të Ministrisë së Financave./teve1/