Kushtetuesja merr vendim, thotë se Kuvendi e shkarkoi paligjshëm anëtaren e OSHP-së

Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit të kaluar kishte votuar pro shkarkimit të Kimete Gashit nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Vendimin e Kuvendit për shkarkim, partitë opozitare e kishin dërguar për vlerësim të ligjshëmrisë në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin ese shkarkimi i Gashit ishte antiligjor.
Vendimi i Kuvendit, sipas kushtetueses, nuk është në përputhje me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
“Në rastin KO157/23, Gjykata ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në aktgjykim thuhet se “me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, përjashtimisht, është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, bazë mbi të cilën ka rezultuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së në rrethanat e rastit konkret”
Por, sipas njoftimit, as Qeveria e Kosovës dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë arsyetim se Kimete Gashi e ka cenuar etikën profesionale.
“Ligji i lartcekur, përcakton raportin e OSHP-së me pushtetin gjyqësor dhe pushtetin legjislativ. Në kontekst të të parit, ligji i aplikueshëm përcakton që ligjshmëria e vendimmarrjes së OSHP-së i nënshtrohet kontrollit gjyqësor. Ndërsa, në kontekst të të dytit, ligji i aplikueshëm përcakton raportin në mes të Kuvendit dhe OSHP-së, ndërlidhur me emërimin e anëtarëve të OSHP-së, detyrimet e raportimit dhe shkarkimin e anëtarëve të OSHP-së. Lidhur me këtë të fundit, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, marrë parasysh rëndësinë e pavarësisë funksionale të OSHP-së, ligjet e aplikueshme, ndër vite, kanë saktësuar që shkarkimi i anëtarëve të OSHP-së mund të bëhet vetëm pasi arsyet për shkarkim të vërtetohen përmes vendimmarrjes së gjykatave, ndërsa me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, përjashtimisht, është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, bazë mbi të cilën ka rezultuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së në rrethanat e rastit konkret.
“Megjithatë, bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të “etikës profesionale” të anëtares së OSHP-së, bazë kjo mbi të cilën ishte bërë propozimi dhe shkarkimi i saj. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit i kishte rekomanduar këtij të fundit të mos e miratojë propozimin e Qeverisë për shkarkim. Për më tepër, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, kishin hedhur si të palejuar padinë dhe ankesën e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e Vendimit të OSHP-së. Në fakt, bazuar në rrethanat e rastit, rezulton që anëtarja e OSHP-së është shkarkuar për vendimmarrjen e saj lidhur me nxjerrjen e Vendimit të OSHP-së për anulimin dhe kthimin në rivlerësim të Njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e aktivitetit përkatës të prokurimit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së. Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Kuvendi e kishte shkarkuar Gashin në seancën e 13 korrikut, me 58 vota pro.