17:11 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Kushtetuesja pezulloi Ligjin për Paga, çka i konvenon atyre ky vendim?

Gjykata Kushtetuese sot morri vendim për pezullimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në fund të muajit mars 2020, duke aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit për caktimin e masës së përkohshme.

“Lidhur me kërkesën për masë të përkohshme, Avokati i Popullit, duke u thirrur në dispozitat relevante të Kushtetutës, të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të Rregullores së punës së Gjykatës, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të bëjë ‘pezullimin e menjëhershëm të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik’”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Kuvendi i Kosovës në shkurt, kishte vendosur që të rregullohet për herë të parë pagesa e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës.

Sipas këtij ligji ishte paraparë që paga e presidentit, kryeministrit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të ulet, shkruan Indeksonline.

Kësisoj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajdrizi që ka pagën aktuale 2950 euro si dhe gjyqtarëve të tjerë me ligjin e ri do të paguheshin me koeficientin 9 ose 2151 euro në muaj (799 euro më pak se paga aktuale).

Pezullimi i këtij ligji, nënkupton se rrogat e të gjithë personave të lartëcekur dhe atyre që marrin paga nga buxheti shtetëror, të mos ndryshohen deri më 30 mars 2020. /Indeksonline/