Kushtetuesja pezullon përkohësisht afatin për postin e nënkryetarit të kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga komuniteti serb. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025. Indeksonline raportoi dje rreth këtij vendimi.
Sipas aktvendimit të publikuar, masa e përkohshme ka për qëllim të ndalojë rrjedhjen e afatit 30-ditor për konstituimin e kuvendit, i përcaktuar në një nga aktgjykimet e mëhershme të Kushtetueses.
Gjykata vlerëson se kjo ndërhyrje është e nevojshme për të shmangur “rreziqe ose pasoja të pariparueshme” dhe se miratimi i saj është në “interes publik”.
Po ashtu, gjykata thekson se kjo masë nuk paragjykon përmbajtjen përfundimtare të çështjes që është ende në shqyrtim.