Kushtetuesja tregon kur merret vendimi ndaj kërkesës së Haxhiut?
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se më 5 mars është dorëzuar në mënyrë elektronike një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të vendit, si dhe për vendosjen e një mase të përkohshme.
Në një përgjigje për Dukagjinin, gjykata ka bërë të ditur se vendimi për këtë çështje do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të paraqitura nga pala parashtruese.
Sipas njoftimit, shqyrtimi do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese.
“Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e masës së përkohshme, është parashtruar në mënyrë elektronike, më 5 mars 2026. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe rregulloren e punës së gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtueses.
Kërkesa është parashtruar nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe kryetaren e Kuvendi i Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ata kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e procedurës për zgjedhjen e presidentit të shtetit.
Në kërkesë përfshihet edhe propozimi për vendosjen e një mase të përkohshme që do të pezullonte afatet kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit deri në publikimin e aktgjykimit nga gjykata.
Sipas dokumentit të dorëzuar në Kushtetuese, mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill 2026. Ndërkohë, për procesin e zgjedhjes së presidentit janë propozuar dy kandidatura: Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Në kërkesë thuhet gjithashtu se seanca e jashtëzakonshme e mbajtur më 5 mars 2026 nuk arriti të zhvillojë procedurën e votimit për shkak të mungesës së kuorumit. Sipas pretendimeve të paraqitura, 54 deputetë të opozitës nuk morën pjesë në seancë, duke pamundësuar arritjen e shumicës së nevojshme prej 80-deputetësh në dy rundet e para të votimit për president.
Përmes kësaj kërkese, parashtruesit propozojnë që Gjykata Kushtetuese ta shpallë kërkesën të pranueshme, të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, të konstatojë nëse mospjesëmarrja e deputetëve në votim përbën shkelje kushtetuese dhe të përcaktojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në procedurën e votimit.

