Kutllovci, pas ngritjes së aktakuzës ndaj Rozeta Hajdarit: Kjo nuk është hakmarrje, por drejtësi
Ermal Kutllovci, sinjalizuesi për dyshimet rreth keqpërdorimeve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj Rozeta Hajdarit.
Përmes një postimi në Facebook, Kutllovci u shpreh se gjatë kësaj kohe është etiketuar me fjalë të rënda dhe diskriminim, por që ajo çka u përqesh dikur, sot po del në dritë, shkruan IndeksOnline.
“Kjo nuk është fitore personale, thjeshtë është një dëshmi për të gjithë ata që besojnë në të drejtën e vërtetë, për të gjithë ata që vuajnë në heshtje, mos u zhgënjeni kurrë e në asnjë rrethanë” deklaroi Kutllovci.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatë aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit, për rastin e rezervave shtetërore.
Pasi u raportua se Kutllovci sinjalizoi institucionet hetuese rreth kësaj çështjeje, në janar të vitit të kaluar, ai u lirua nga puna me vendim të MINT-it.
Ky është deklarimi i plotë i Kutllovcit:
Të dashur miq, shokë e familjarë,
Ka momente në jetë kur heshtja bëhet më e rëndë se fjala, kur padrejtësia të shtrëngon në fyt dhe vetmia të sfidon çdo ditë. Kam kaluar nëpër ato ditë. Kam parë fytyrën e padrejtësisë nga afër, kam ndier peshën e fjalëve të pavërteta dhe gjykimin pa më njohur. Por në zemrën time ka qëndruar një zë i vetëm, mos u dorëzo sepse e vërteta nuk vdes kurrë.
Më quajtën rebel, më shtynë mënjanë, më mbyllën dyer, por askush nuk mundi të më mbyllë ndërgjegjen. Sot, koha po flet vetë. Ajo që dikur u përqesh, sot po del në dritë.
Dhe kjo nuk është hakmarrje, por drejtësi.
Kam humbur shumë gjatë kësaj përiudhe, qetësinë, miqësitë e rreme, ndoshta edhe disa ëndrra, por padyshim kam fituar diçka që nuk blihet, paqen me veten. E kjo është fitorja më e madhe që njeriu mund të ketë.
Kjo nuk është fitore personale, thjeshtë është një dëshmi për të gjithë ata që besojnë në të drejtën e vërtetë, për të gjithë ata që vuajnë në heshtje, mos u zhgenjeni kurrë e në asnjë rrethanë.
Faleminderit nga zemra të gjithëve ju që nuk më latë vetëm, Ju që besuat e që qëndruat pranë me shpirt e me zemër. Ju jeni forca ime dhe arsyeja pse besoj se ky vend ende ka shpresë.
Mos u lodhni duke kërkuar drejtësinë, mos heshtni përballë padrejtësisë. Një gjë është e sigurtë e vërteta jeton në secilin prej nesh dhe vetëm ajo na bën të lirë.
Në fund u kërkoj falje familjes sime të ngushtë, bashkëshortës sime (Majlindes), prindërve, motrave e fëmijëve të mi, nëse ndonjëherë janë ndier të lënduar. Ju e dini se ky jam unë, ndoshta i pandryshueshëm, por gjithmonë i sinqertë. Besoj se do të më kuptoni dhe shpresoj që do të më falni.
Me mirënjohje të thellë, me zemër të qetë dhe besim të patundur,

