09:55 / E Hënë, 31 Korrik 2023 / mp

Kuvendi dështoi t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, pasoja edhe për studentët

Qëndrimi i partive opozitare se do të bojkotojnë të gjitha propozimet që pushteti do t’i sjellë për votim, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, sipas njohësve të zhvillimeve politike, i bëjnë dëm interesit të qytetarëve.

Në PDK kanë thënë se s’ka kuptim votimi i marrëveshjes në kohën kur për fajin e Albin Kurti, Kosovës i janë vënë sanksione. Sesioni pranveror është mbyllur pa shqyrtimin dhe ratifikimin e pesë marrëveshjeve, përshirë përmirësimin e rrjetit të transmisionit të energjisë dhe projektin e ngrohjes solare të Prishtinës

Në mungesë të votave të mjaftueshme, sesioni pranveror i Kuvendit është mbyllur pa u shqyrtuar e ratifikuar pesë marrëveshje ndërkombëtare.
Edhe po të ishin të pranishëm të gjithë deputetët e pushtetit, në seancën e fundit marrëveshjet nuk do të votoheshin për shkak të qëndrimit të opozitës. PDK-ja, si partia më e madhe opozitare ka marrë vendim që të mos marrë pjesë në votim në seanca e në komisione. Marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votave e dy të tretave të deputetëve.

Njëra nga marrëveshjet që po mbahet pezull është ajo për bashkëfinancimin e bursave për studentë të nivelin master mes Kosovës dhe Francës

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, e sheh të papërgjegjshme këtë sjellje të opozitës, që sipas tij është barrikaduar në kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Kjo është një humbje e mundësisë për të rinjtë, pra sipas kësaj marrëveshjeje, diku për momentin për të paktën 12 persona që t’i kryejnë studimet master në Francë. Mendoj që kjo i dëmton njerëzit e dëmton sistemin në përgjithësi sepse ne kemi pak njerëz të cilët i kanë të përfunduara studimet në Francë dhe kjo është një mundësi unike që të bëhet një gjë e tillë”, ka thënë Pupovci.

Në mesin e marrëveshjeve të pavotuara janë edhe ato për kreditë që do të mund t’i merrte Qeveria për projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës” dhe përmirësimin i rrjetit të transmisionit të KOSTT-it.

Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, thotë se sjelljen e papërgjegjshme të partive po e vuajnë më së shumti qytetarët, teksa kritikon edhe Kuvendin për trajtim të ngadalshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Humbësit më të mëdhenj të kësaj qasjeje janë qytetarët e Kosovës dhe vetë projektet që duhej të fillonin pas votimit në Kuvend. Çdonjëra nga ato paraqet projekte të rëndësishme, ndërsa vonesat për trajtimin e tyre janë të papranueshme”, ka thënë Thaçi.

Deputetja e partisë më të madhe opozitare, Eliza Hoxha, ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm i PDK-së ka vendosur që deputetët e subjektit të saj të mos votojnë marrëveshje ndërkombëtare. Sipas saj, është farsë të përmenden marrëveshjet derisa Qeveria i ka sjellë Kosovës sanksione.

“Ju kujtoj që ne kemi votuar marrëveshje të shumta dhe ligje të shumta, paçka që nuk evidentohen sepse nuk punon sistemi ku ne mund të evidentohemi se kush cka po voton. Ky veprim i PDK-së ka ardhur pikërisht për arsye të sanksioneve, për arsye të veprimeve të Albin Kurtit. Është e pakuptueshme dhe nëse i votojmë ato marrëveshje përderisa edhe IPA edhe shumë sanksione të tjera nga BE-ja dhe Amerika që lidhen pikërisht me këto marrëveshje nuk kanë mundësi të zbatohen. Prandaj krejt kjo farsë se marrëveshjet nuk kalojnë sot sepse PDK-ja nuk po i voton është e paqëndrueshme”, ka thënë Hoxha.

Hoxha në konferencë për media mbajtur të dielën ka deklaruar se për shkak të keqqeverisjes dhe vendosjes së masave ndëshkuese të BE-së e SHBA-së, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje, më së largu në shtator.