21:08 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kuvendi demanton disa medie: Nuk janë 30 anëtarë në delegacion, por nëntë

Kuvendi i Kosovës përkatësisht Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun ka reaguar pas disa raportimeve në media lidhur me përbërjen e delegacionit të legjislativit në vizitën zyrtare në Austri.

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit sqaron se delegacioni i Kuvendit nuk përbëhet nga 30 anëtarë siç është raportuar në disa media, por vetëm nga kryetari i Kuvendit dhe nga një përfaqësues i secilit grup parlamentar, pra gjithsej 9 persona, transmeton Indeksonline.

“Ndërsa zyrtarët e Qeverisë të cilët po qëndrojnë në Vjenë, nuk janë pjesë e delegacionit të Kuvendit, por pjesëmarrës në organizimin e Forumit Ekonomik që e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake e ku janë të pranishëm edhe dhjetëra biznese ndërkombëtare.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po qëndron në Vjenë në funksion të diplomacisë parlamentare, për të takuar përfaqësuesit e Parlamentit të Austrisë për të diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe për përkrahjen e Austrisë për Kosovën në rrugën drejt integrimeve evropiane”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/