75 Mall Live Search
18:06 / E Enjte, 15 Qershor 2023 / LB

Kuvendi e miratoi me konsensus të plotë, por çka thonë në mërgatë për miratimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme

Kuvendi i Kosovës janë e kaluar me konsensus të të gjitha partive parlamentare, ka miratuar Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Mes tjerash ky ligj krijon lehtësira për mërgimtarët, duke u krijuar mundësinë që të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, por edhe që të dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës në shtetet ku jetojnë, duke eliminuar shpenzimet e shumta që ata kanë pasur deri tash përmes dërgimit të fletëvotimeve në Kosovë.

Përfaqësues të partive politike në diasporë kanë mirëpritur miratimin e këtij ligji, të cilin e kanë quajtur të vonuar.

Ahmet Kosumi, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër ka thënë për IndeksOnline se do të ishte mire që të shikohet mundësia edhe e votimit përmes E-mailit të identifikuar personal.

“Miratimi i projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme është hap i mirë për votuesit nga mërgimi. Mendoj që duhet të punohet edhe më shumë në informimin dhe zgjimin e interesit të mërgimtarëve për të votuar”, ka thënë Kosumi.

Ndërsa, Ukë Blakaj, kryetar i AAK-së në Gjermani ka thënë se miratimi i këtij projektligji do të rris pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e përgjithshme, kësisoj mërgata ai ka thënë se do të përfshihet edhe më shumë në jetën publike në Kosovë.

“E përshëndesim miratimin e këtij projektligji nga ana e Kuvendit të Kosovës. Vlerësojmë se është vendim i vonuar. Miratimi i këtij projektligji besojmë se do të rris pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje. Dihet që ka pas shumë burokraci dhe kosto ekonomike për një familje në diasporë për t’i dërguar votat e tyre përmes postës”, ka thënë Blakaj për IndeksOnline.

Ai ka thënë se ky vendim vetëm do t’u jap më shumë energji për të punuar në fuqizimin e AAK-së në Gjermani.

Vlerësim të ngjashëm kanë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës. Shqiptar Gubetini nga dega e PDK-së në Gjermani ka thënë se si mërgatë mirëpresin ndryshimet pozitive, nëse ato janë të qarta.

“Është shumë me rëndësi, nëse ka mekanizmin mbrojtës votimi sepse në të kundërtën nuk arrihej qëllimi i ndryshimit të ligjit, kjo është e para dhe e dyta mënyra e votimit evitimi i pritjeve janë faktor determinues”, ka thënë ndër të tjera ai për IndeksOnline.

Ndërsa, Patriot Krasniqi, kryetar i PDK-së në Itali ka thënë se Ligji i miratuar për mërgatën është shumë i vonuar. AI ka thënë se mërgata ka qenë baza e ekonomisë në Kosovë.

“Ne këtu jemi shumë të kënaqur që me në fund edhe ne do të bëhemi pjesë e proceseve të rëndësishme për Kosovën, kur e dim që mërgata po ashtu që nga lufta e deri në shpalljen e Pavarësisë ka ndihmuar Kosovën dhe nuk është ndalur kurrë. Votimi fizikisht për Mërgatën është po ashtu një hapa para që votat tona të mos keqpërdoren me post dhe të drejtat e votimit janë të barabarta me banuesit në Kosovë. Prandaj dua ta falënderoj Partin Demokratike të Kosovës dhe gjithë partitë tjera për konsensusin e arritur që mërgata të jetë më e vlerësuar sepse mendjen dhe zemrën e kemi ne Kosove e trupin në mërgim”, ka përfunduar ai,.

Kujtojmë se të gjitha partitë politike parlamentare në Kosovë kanë mbështetur miratimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme./IndeksOnline/