75 Mall Live Search
17:56 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / G T

Kuvendi i bllokuar, ish deputeti i AAK-së: Prapavija është mungesa e votave për Qeverinë e Kurtit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka komentuar situatën politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se gjendja në Kuvend po vazhdon të mbetet e njëjtë.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Dreshaj tha se nuk po sheh gatishmëri të partive të mëdha për të afruar palët në zgjidhjen e krizës.

“Çdo herë vëllai i madh e afron të voglin edhe bisedojnë për probleme, edhe unë realisht nuk po e shoh këtë. Unë e shoh këtë vazhdë të imponimit të vullnetit të partisë shumicë,” deklaroi ai.

Ai theksoi se nuk ka një qëndrim unik të partive opozitare, duke përmendur pozicionet e tyre të ndryshme:

“Nuk është vetëm një qëndrim, për shembull që e ka LDK-ja, që pa marrëveshje politike nuk ka votim. E kemi PDK-në e cila thotë që asnjë nga kabineti qeveritar që propozohet nuk do të ketë votë. E kemi AAK-në që ka bërë shumë lëshime dhe ka bërë oferta konkrete, ku edhe në prononcim të fundit ajo tha që 20 deputetë do t’i votojë. Unë jam shumë skeptik që 30-ditëshi do të jetë i mjaftueshëm për formimin e Kuvendit,” u shpreh Dreshaj.

Sipas tij, arsyeja kryesore e bllokadës është mungesa e mbështetjes parlamentare për Qeverinë.

“Unë mendoj që prapavija e krejt kësaj bllokade është se z. Kurti nuk i ka votat për Qeveri edhe po e bën këtë,” tha më tej Dreshaj.