15:53 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kuvendi i është mirënjohës NDI-së për mbështetjen e vazhdueshme

Presidenti i Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Keneth Wollack, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ka qëndruar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Aty, ai është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në takim është diskutuar për bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe NDI tashmë kanë kultivuar midis tyre dhe mbështetjen që kjo e fundit i ka dhënë legjislativit të vendit.

Veseli e konsideroi përkrahjen e NDI-në të një rëndësie të veçantë dhe shumë të çmuar për Kuvendin e Kosovës, duke ndihmuar ndjeshëm në forcimin e kapaciteteve të punës dhe rritjen e transparencës.

Presidenti i NDI-së, Wollack, nga ana e tij, konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së organizatës që ai udhëheq për Kuvendin e Kosovës edhe në të ardhmen.

Më pas, i pari i NDI-së ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë. Takimin me studentët e hapi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili falënderoi Wollack dhe nëpërmjet tij gjithë NDI-në, e cila, siç tha Krasniqi, ka qëndruar pranë Kuvendit të Kosovës që nga themelimi i tij në vitin 2001, duke ndihmuar në ndërtimin e një institucioni demokratik që ushtron me përgjegjësi kompetencat kushtetuese.

Në vazhdim, sekretari Krasniqi përmendi arritjet kryesore të Kuvendit, si rezultat i këtij bashkëpunimi, duke filluar nga miratimi i ligjeve cilësore, falë ndihmës së Shërbimit për Hulumtime Parlamentare, rritja e ndjeshme e nivelit të llogaridhënies së qeverisë, mekanizma këto të ndërtuar së bashku, hapja mëtejme e Kuvendit dhe rritja e transparencës etj.

“Ne në Kuvend do të vazhdojmë bashkëpunimin me NDI-në dhe partnerët e tjerë, për të forcuar mekanizmat që ndihmojnë në mbrojtjen e imazhit dhe kredibilitetit të institucionit”, theksoi Krasniqi.

Presidenti i NDI-së, Keneth Wollack, gjatë fjalës së tij, foli rreth programeve të NDI-së dhe organizatave e institucioneve të tjera ndërkombëtare për zhvillimin dhe avancimin e demokracisë në nivel global, si dhe problemet me të cilat ballafaqohen vendet në tranzicion, në përpjekjet e tyre për të forcuar demokracinë dhe qeverisjen e mirë.  Ai po ashtu, u përgjigj edhe në shumë pyetje të shtruara nga studentët./AktivPress