75 Mall Live Search
20:12 / E Enjte, 29 Prill 2021 / Blerim

Kuvendi i Komunës së Podujevës miratoi vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës, vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë – 38 në kategorinë e shpenzimeve investime kapitale dhe vendime të tjera në interes të qytetarëve.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.

Në fillim të mbledhjes së sotme, këshilltari Qëndrim Softolli lexoi para të pranishmëve letrën e këshilltarit komunal Blerim Maçastena, i cili po mbahet i burgosur në Serbi.

Maçastena, përmes letrës, ka thënë se ndihet shumë falënderues për të gjithë mbështetjen financiare dhe morale nga kolegët këshilltarë, të cilët me gatishmëri të plotë e ndihmuan atë në këto ditë të vështira.

Me propozimin e këshilltarit Rafet Llapashtica nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi vendosi të shtoi në rend dite propozim vendimi për marrjen e masave për lirimin e pronës përkatëse me qëllim të implementimit të projektit për ndërtimin e obeliskut për heroin  Afrim Zhitia në fshatin Llugë. Kuvendi e  miratoi këtë propozim vendim.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, prezantoi propozim vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2020 në vitin 2021 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore. Ai propozoi që mjetet e pashpenzuara në vitin 2020, në shumën e përgjithshme prej 669,619 euro, të barten në vitin 2021 dhe atë në programet Administratë Komunale 342,671,59 euro, Shëndetësi 28,466,61 euro dhe Arsim 298,480,93 euro.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2020 në vitin 2021 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetor.

Gjithashtu drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, prezantoi propozim vendimin për transferimin e mjeteve buxhetore nga kategoria rezervë – 38 në kategorinë e shpenzimeve investime kapitale.

Drejtori Osmani tha se mjetet buxhetore në shumë totale prej 380,930,00 euro do të transferohen në kategorinë e shpenzimeve kapitale, si:

Planifikim Hapësinor dhe Rregullativ –Ndërtimi, shtimi, rritja dhe mirëmbajtja (në pronën publike të qytetit), e parqeve, hapësirave të reja të gjelbëruara, kopshteve të hapura me lodra për fëmijë, etj në vlerë prej 80.000 euro.