08:52 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kuvendi i Kosovës ka degraduar nga përgjegjësitë kushtetuese që ka

Gjithkund në botën e shteteve demokratike e jo vetëm të atyre me shkallë të avancuar të zhvillimit, kuvendet, rrjedhimisht legjislativi i vendit e ruan vulën e përkatësisë themelore që ka.

Shërbimi i kuvendit për qytetarët dhe nevojat e tij, për ruajtjen dhe mbrojtjen e hapësirës ku shtrihen ata janë tashmë detyrime dhe përgjegjësi universale të këtij institucioni. E kjo do të thotë se vetëkuptueshmëria për një mision të tillë është aq i vetëkuptueshëm saqë edhe sikur të mos jetë i shkruar në kushtetutë ky mision, të themi hipotetikisht, ai do të ishte prapë se prapë i vetëkuptueshëm.

Mirëpo Republika e Kosovës si shtet i ri po argumenton në skenën politike një praktikë të teorisë e cila ta kujton kohën e shteteve të organizuara para se ato të kishin epokën e Kushtetutës, si aktin suprem të organizimit të një kolektiviteti të caktuar njerëzish.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, që do të duhej të ishte në shërbim të popullit gjithmonë është shndërruar në arenë të gladiatorëve për drejtues të partive politike pa përjashtim.

Nuk ka përfaqësues politikë aty që nuk ka degraduar nga misioni i votës për të cilën edhe janë zgjedhur.

Dhe askush nuk po e thotë qartë, aq më pak shoqëria civile,e aq më pak po e pasqyron media. që e ka si detyrim të ekzistencës së natyrës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka zbritur në një nivel palaçosh, të cilët e shfrytëzojnë foltoren e Kuvendit dhe hapësirën jashtë tij për egot e degraduara të individëve që e kanë kapur shtetin ose që e pretendojnë kapjen e tij edhe më shuma se sa e kanë.

Kapja e shtetit prej qeveritarëve është një fenomen i njohur. Por që kjo ndodh e degradon më shumë në një Kuvend të një shteti, kjo ndodh vetëm në Republikën e Kosovës.

Të mjerët e kuvendit të republikës së Kosovës të veshur me petkun e deputetëve kanë leje si po duket tash e sa kohë:

  • ta kallin Kuvendin;
  • ta kallin Kosovën;
  • t’i vrasin njerëzit;
  • t’u shajnë me nënë e më babë njerëzit;
  • të sillen e rrihen si banditë e rrugaçë rrugësh;
  • ta kërkojnë zhbërjen e kuvendit duke mos pasur vota sepse vetë nuk janë edhe në qeveri;
  • ta bllokojnë punën e Kuvendit sepse kaq munden dhe ikin si palaço jashtë kuvendit e në anën tjetër i marrin të hollat pa e bërë punën;
  • të shesin politika patriotike e vet kanë qenë ose UDB-ashë ose vijnë nga baballarët e tyre dhe kurrë nuk janë diferencuar prej shërbimeve të tilla;
  • të merren vesh vetëm atëherë kur u bie mirë vetëm krerëve të partive të përfaqësuara e jo vendit;
  • ta akuzojnë për politika ruse duke pasur vetë ADN gjenetike ruse e jo vetëm ADN ekonomike a të natyrave tjera;
  • t’i zgjedhin në kreun e institucioneve më të ndjeshme të shtetit njerëzit që janë të dëshmuar se kanë qenë familjarisht në shërbim të pushtuesit;
  • t’i zgjedhin nëpër borde e pozita tjera menaxheriale njerëzit e mafive politike tash me bekimin edhe të disa ambasadorëve të jashtëm që kanë lidhur marrëveshje gjoja për ta ndalë këtë fenomen etej etj.

E vërteta e Kuvendit të Republikës së Kosovës është e Keqja më e Madhe e shtetit më të ri në Europë që nga vitit 2014 e nuk po kthjellët dot. Dhe më pas vjen Qeveria e saj bashkë me Shoqërinë Civile e Median./Indeksonline/