Kuvendi i Kosovës me seancë në nderim të Ilaz Kodrës

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë solemne.
Kjo seancë do t’i kushtohet komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.
Seanca pritet të nisë në ora 10:00.
Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë. Së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovci, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë, komandant Ilaz Kodra ka marrë pjesë si në organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare, ashtu edhe në zhvillimin e saj në terren, në malet e Qyqavicës dhe gjithandej në Drenicën Qendrore.
Pas rënies së Fehmi Lladrovcit dhe Xheva Krasniqit-Lladrovci më 22 shtator të vitit 1998, Ilaz Kodra u caktua komandant i kësaj Brigade, e cila mori emrin e komandant të saj të parë, Fehmi Lladrovci.