Kuvendi i Kosovës përballë bllokadës, nesër tentativa e 11-të për konstituim

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, të hënën, me fillim nga ora 10:00, për të njëmbëdhjetën herë radhazi, seancën konstituive, në përpjekje për të zgjedhur kryesinë e re të legjislativit.
Pavarësisht se numri i tentativave tashmë ka arritur në dy shifra, partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të mos japë sinjale të tërheqjes nga kandidimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit – edhe pse ajo deri tani nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave.
Në përpjekjen e fundit për të zhbllokuar situatën, Vetëvendosje propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, duke përfshirë deputetin Hekuran Murati si anëtar.
Mirëpo, kjo iniciativë hasi në rezistencë të ashpër nga opozita. Kryetari i seancës, Avni Dehari, iu drejtua Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të nominuar një përfaqësues në komision, por kërkesa u prit me reagim të fortë nga lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ju ftoj që, përkundër presionit që keni nga partia që i takoni, të mos bëheni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos e bëni cirk këtë Kuvend”, deklaroi Krasniqi. Ai u ndërpre menjëherë nga Dehari, ndërsa tensionet në sallë u rritën.
PDK ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që, sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.
Ndërkohë, situata e bllokuar ka ngritur shqetësime mbi funksionimin demokratik të institucioneve dhe mundësinë e krizës politike të zgjatur./IndeksOnline/