75 Mall Live Search
12:07 / E Premte, 15 Korrik 2022 / k.v

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut vazhdon debatin për propozimin francez

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut vazhdon debati, i nisur një ditë më herët, për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim, shërbimet e Kuvendit paralajmërojnë se seanca mund të mos përfundojë as ditën e premte.

Propozimi francez parash kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

Propozimi i Francës, prej shtatë pikash, kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë, organizon protesta.

Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase. Sofja pretendon se gjuha maqedonase, deri para vitit 1945, ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase.

Sipas tij, nuk do të ketë asnjë qeveri që do të negociojë për çështjet që kanë të bëjnë me identitetit maqedonas.

Ai bëri thirrje për miratimin e propozimit francez, duke thënë se është mënyra e vetme për zhbllokimin e integrimit evropian.

“Nuk do të lejojmë, si në të kaluarën, që shteti dhe qytetarët të jetojnë në pasiguri, shqetësim dhe dilema të vazhdueshme, se çfarë do të ndodhë nesër. Nuk do të lejojmë që vendi të mbetet në fund të Ballkanit, kur të gjithë ecin përpara, pavarësisht problemeve që mund t’i kenë”, tha Kovaçevski.