Kuvendi i Serbisë, Vuçiqi: Po bëjmë luftë të ashpër, kemi arritur 7 tërheqje të njohjeve të Kosovës

Kuvendi i Serbisë është mbledhur sot për të bërë një diskutim 10 orësh lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, shkruan IndeksOnline.
Në këtë seancë, president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq prezantoi një raport që përfshinë negociata në mes Kosovës dhe Serbisë që nga 15 qershori 2021 deri më 1 shtator 2022.
Në fjalimin e tij, ai konsideroi situatën në mes Kosovës e Serbisë të jashtëzakonshme duke iu referuar disa incidenteve ndër etnike. Vuçiq theksoi se Kosovës i intereson vetëm zgjedhja e statusit të saj dhe jo mënyra se si do të jetojnë serbët e shqiptarët, ndërkaq Beogradi mbetet i fokusuar për të bërë kompromise.
Vuçiq, gjatë fjalimit të tij u krenua edhe me ç’njohjet të cilat ka arritur të ia heq Kosovës.
“Ne po bëjmë një luftë të ashpër për të ruajtur interesat tona kombëtare, kështu që kemi ardhur në shtatë tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tani kemi më shumë vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës sesa ato që e njohin”, ka theksuar Vuçiq.
Në këtë seanca parlamentare, foli edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi. Ai kërkoi që të bëhet një deklaratë për të kaluarën dhe të dënohen krimet e kryera ndaj shqiptarëve.
Tutje, Kamberi tha se Kosova është e pavarur nga Serbia dhe se Serbia nuk mund të ketë ndikim se kush mund të jetë në pushtet atje.
Vuçiq, nuk përfundoi raportimin pa akuzuar edhe ndërkombëtarët se po bëjnë presion për njohje joformale të Kosovës nga ana e Serbisë dhe për këtë sipas tij kanë arsye, sepse askush nga ndërkombëtarët nuk e do një konflikt tjetër në Ballkan.
Gjithashtu ai tha se nuk do të dëgjojnë kërcënimet e ndërkombëtarëve se do të largojnë investimet në rast se nuk bëhet njohja e Kosovës.
Së fundi, Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron që t’i dërgoj në luftë serbët dhe nuk do që asnjë nënë serbe të marr të vdekur fëmijën e saj./IndeksOnline/