17:39 / E Enjte, 25 Nëntor 2021 / A K

Kuvendi i Shqipërisë e miraton buxhetin e vitit 2022, PS voton kundër Braçes

Pas një muaji diskutime në komisionet parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë këtë të enjte miratoi me 77 vota pro buxhetin e vitit 2022.

Propozimet e qeverisë për këtë buxhet dhe paketën fiskale kanë prodhuar jo pak debate.

Në seancën plenare të sotme, përballë vullnetit të mazhorancës kanë ardhur disa kërkesa për amendime nga ana e deputetëve.

Seanca plenare për miratimin nen për nen nisi me kundërshtitë e fermerëve. Të mbledhur para Parlamentit ata kërkuan që paketa fiskale të mos miratohet.

Për t’i dëgjuar shkoi vetë Kryeministri Rama. Pas takimit fermerët thanë se ranë dakord me kreun e qeverise vetëm për t’u ulur në bisedime.

Propozimet për paketën fiskale të ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe nuk gjetën mbështetje as nga vetë socialistët në Kuvend.

Amendamentet e tij të dorëzuara me disa ndryshime në paketën fiskale, morën vetë, 10 vota pro. Mazhoranca ka pranuar vetëm mendimin e Taulant Ballës për shtimin e fondit prej 60 milionë lekësh për KPA-në.

Edhe propozimet e tjera të mbërritura nga Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixho, Petrit Vasili nga LSI si edhe Alfred Rushaj dhe Jorida Tabaku nga PD u hodhën poshtë.

Nga foltorja e Kuvendit, Braçe tha se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti duke kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që iu është bërë me lejimin e kazinove.