75 Mall Live Search
23:42 / E Enjte, 02 Tetor 2025 / Burim

Kuvendi jofunksional, njohësit paralajmërojnë pasoja serioze

Njohës të politikës paralajmërojnë pasoja serioze nëse vendimi i kushtetueses nuk gjen zbatim. Sipas tyre, ka mëdyshje nëse do të vazhdohet me rivotim në pako të nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë apo do të vazhdohet për ta zgjedhur nënkryetarin e pakicës serbe.

Njohës të së drejtës kushtetuese ngrenë mëdyshje rreth vijimit të seancës së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deri në fillim të javës së ardhme, sipas tyre, Kushtetuesja do ta publikojë aktgjykimin për të kuptuar se si do të rrjedhë më tutje kjo procedurë.

“Ka paqartësi, ka dilema se a do të vazhdohet me rivotim në pako për dy propozimet e ofruara nga radhët e komuniteteve jo shumicë apo gjykata do ta sqarojë nëse e ka legjitimuar procesin e  deritanishëm të zgjedhjes së nënkryetarëve dhe kryetarit të kuvendit dhe mbetet vetëm që deputetët brenda një afati 12 ditor pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit, ta zgjedhin edhe nënkryetarin që përfaqëson komunitetin serb”, tha Vullnet Bugaçku, njohës i së drejtës kushtetuese IKD.

“Vendimi i Gjykatës është kristal i qartë: Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa nënkryetarin nga pakica serbe. Kjo nuk është kohë për patriotizëm folklorik, por për patriotizëm kushtetues”, tha Artan Muhaxheri, analist politik, raporton RTK.

Sipas njohësve të së drejtës dhe analistëve politikë, mosrespektimi i Kushtetutës mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimeve ndërkombëtare të vendit, përfshirë rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s.

“Nëse deputetët nuk e zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kjo është shkelje e rendit kushtetues. Një veprim i tillë mund të ketë pasoja të menjëhershme për Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare”, theksoi Bugaçku.

“Kushdo që respekton Kushtetutën, duhet të angazhohet për zhbllokimin e kësaj situate. Kjo krizë institucionale është e padurueshme dhe e dëmshme për shtetin e Kosovës”, shtoi Muhaxheri.

Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës mbetet jashtë funksionit.