Kuvendi Komunal mban mbledhje të jashtëzakonshme, pritet emërimi i kryesuesit të ri

Këshilltarët Komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për emërimin e kryesuesit të kuvendit.
Mbledhja e jashtëzakonshme ka filluar tashmë dhe pritet që të bëhet votimi për zgjedhjen e kreysuesit të ri të Kuvendit komunal të Prishtinës.
Mirëpo këtë mbledhje e kanë bojkotuar asambleistët e LDK-së dhe AAK-së.
Megjithëse kishte kuorum pasi që të pranishëm janë 30 asambleistë, Kuvendi ka shkuar në pauzë, për tu kthyer pas 30 minutash për të vazhduar me votimin për kryesuesin e ri .
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka adresuar kritika në drejtim të partisë në pushtet. Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës po pamundëson mbajtjen e seancës ku pritet të zgjidhet kryesuesi i ri.
Svçela krahasoi këtë situatë me atë të vitit 1990, kur regjimi serb pamundësoi hyrjen e delegatëve në Kuvend.
“Siç po e shihni jemi para një situate që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosove prej vitit 1999 prej pas luftës kur të zgjedhurit të qytetarëve ju pamundësohet dhe në çdo formë i sabotohet mënyra ose procedura për mbajtën e një seance të thirrur në mënyrë të rregullt dhe konform të ligjit të Kosovës. Me të vërtet është shumë e dhimbshme por nuk ka analogji më të mirë se kjo që ndodhi sot në korrikun e vitit 1990 ju patë pamundësua hyrja në Kuvendin e Kosovës pak a shumë e njëjta ngjarje na ndodhi sot përveç se nuk na u pamundësua na u pamundësua puna siç procedura u zhvillua në mënyrë të rregullt tani jemi në fazën e përpilimit të fletëvotime dhe do të përfundojë procesi i kryesuesit të ri”, u shpreh Sveçla.