Kuvendi Komunal i Prishtinës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029
Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar me shumicë votash Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027-2029, dokumentin që përcakton orientimet strategjike dhe planifikimin financiar të kryeqytetit për tri vitet e ardhshme.
Propozimi u votua me 41 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa gjatë debatit asamblistët e partive politike shprehën qëndrime të ndryshme, duke vlerësuar dokumentin, por edhe duke adresuar kritika dhe sugjerime lidhur me prioritetet zhvillimore, investimet kapitale dhe menaxhimin e financave komunale.
Drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, gjatë prezantimit të dokumentit tha se KAB është dokumenti kryesor strategjik që përcakton zhvillimin dhe planifikimin buxhetor të kryeqytetit për tri vitet e ardhshme.

