19:03 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Kuvendi miraton projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, për të cilin nga 64 deputetë sa ishin prezent, 61 kanë voton për, 3 kanë abstenuar, ndërsa kundër nuk votoi askush.

Në mungesë të ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës, këtë projektligj e ka paraqitur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ai, ka thënë se në regjistrin kombëtar janë mbi 182 mijë ndërtime pa leje, ndërsa vetëm 8 mijë kanë aplikuar për legalizim.

Reçica, duke bërë thirrje që të miratohet ky projektligj ka theksuar se në të përfshihen edhe të drejtat pronësore, menaxhimi i tokës dhe ndërtimit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka thënë se mund të ketë edhe objekte të institucioneve shtetërore që nuk kanë dokumentacione.

“Jemi dakorduar që ky ligj konsiderohet një nga ligjet më të rëndësishme. Prishtina prinë me mbi 50 % të ndërtimeve pa leje, pastaj shkojmë me autostrada e aeroporte e mos të flasin për institucione që ndoshta nuk janë të pajisura me dokumentacione. Duhet t’i trajtoj të gjitha ndërtesat që nuk i plotësojnë kushtet për legalizim”, është shprehur Haradinaj.