11:45 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Kuvendi miraton Raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale

Kuvendi ka miratuar Raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016.

Lumir Abdixhikui, deputet i LDK-së tha se është i kënaqur me mënyrën se si janë menaxhuar kursimet pensionale në vitin 2016.

“Vlerësojmë investimin e 87 për qind të mjeteve jashtë Kosovës. Vlerësojmë se investimet për ekonominë e Kosovës japin siguri më të mirë. I japim mbështetje raportit vjetor për kursime pensionale për vitin 2016”, tha Abdixhiku.

E Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje, tha se paratë e tyre nuk ia besojnë ekonomisë.

Ky raport sipas tij,  shpërfaq që Kosova ndonëse ka fonde vazhdon të sillet ne politikbërës si shtet i varfër.

“Fondet pensionale në raport të këtij fondi  janë 1.4 miliard euro kursime pensionale të qytetareve, diku 8 përqind të investuara në Kosovë. Prej 1.4 miliard euro 1.3 miliard janë në shtete tjera. 40 perqind ne SHBA dhe 45 përqind në BE”, tha Sejdiu.

Deputeti i NISMA për Kosovën, Enver Hoti  tha se NISMA e ka trajtuar këtë raport dhe e mbështet plotësisht edhe sigurinë dhe ruajtjen e këtij kapitali.

“I bëjmë thirrje qeverisë të marrë hapa konkret që investimet te kthehen brenda në Kosovë sepse janë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

E Islam Pacolli nga AKR tha se GP i kësaj partie e ka shqyrtuar këtë pikë dhe bënë thirrje që të gjendet mënyra që Fondi i Trustit Pensional të kthehet në Kosovë dhe të bëhen investime.