Kuvendi nuk e miraton rezolutën e AAK-së për faljen e borxheve gjatë pandemisë

Me 22 vota për Kuvendi nuk e ka miratuar rezolutën e propozuar nga AAK-ja për faljen e gjobave gjatë kohës së pandemisë.
Kjo rezolutë, fillimisht, u propozua nga deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Ndryshe, me kërkesë të gjashtë deputetëve të AAK-së, sot është mbajtur interpelanca e ministrit të Financave, Hekuran Murati, shkruan IndeksOnline.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ua ka shuar shpresat të gjithë pronarëve të bizneseve që kanë borxhe të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ai ka thënë se borxhet nuk do të falën, por kanë mundësi bizneset që prej ATK-së të bëjnë marrëveshje që t’i paguajnë me këste.
“Falënderojmë të gjithë ata tatim pagues të rregullt që çdo muaj i paguajnë shtetit tatim, çdo muaj i mundësojnë këtij shteti 100 milionë euro paga e pensione pa asnjë vonesë. Borxhet duhet të paguhen, kanë mundësi bizneset që prej ATK-së të bëjnë marrëveshje që t’i paguajnë me këste”, ka thënë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati./IndeksOnline/