75 Mall Live Search
19:03 / E Shtunë, 08 Qershor 2019 / indeksADMonline

Kuvendi pasiv i Kosovës, këtë vit vetëm pesë seanca të rregullta

Kuvendi i Kosovës qysh nga fillimi i këtij viti nuk ka arritur të mbaj shumë seanca të rregullta plenare, duke i lënë shumicën e herëve në gjysmë, për t’i vazhduar ditëve tjera.

Pos seancave të rregullta, Kuvendi i Republikës së Kosovës disa herë ka mbajtur seanca të jashtëzakonshme që ndërlidheshin me zhvillimet në vend si ikja jashtë vendit, vrasjet në kazino, greva në arsim, etj.

E jo rrallë, legjislatura aktuale e Kuvendit, që është e gjashtë me radhë është kritikuar për pasivitet dhe mungesë të kuorimit në seanca.

Këtë e dëshmon edhe numri i vogël i seancave që Kuvendi ka mbajtur në pesë muajt e parë të 2019-tës.

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë në një prononcim për Indeksonline se që nga fillimi i legjislaturës së gjashtë, e veçanërisht në vitin 2018 dhe në pjesën e parë të këtij viti, Kuvendi i Kosovës  nuk po arrin të jetë plotësisht funksional.

Sipas saj, numri i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë që gjithsej janë 10 të tilla (janar – maj) ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash që kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji tetor i vitit 2018.

“Për periudhën janar – maj, Kuvendi ka zhvilluar pesë seanca plenare dhe pesë vazhdime të këtyre seancave, numër ky shumë më i vogël se seancat e jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë kohore. Aktualisht nga pikat e papërfunduara janë edhe 12 projektligje të pa miratuara, ku prej tyre 6 janë në shqyrtim të dytë dhe 6 të tjera në parim por që për mungesë kuorumi ende nuk kanë arritur që të marrin epilog”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se bllokimi i këtyre pikave në seanca, sidomos pikat që kanë për shqyrtim projektligjet në parim të cilat nuk po arrijnë të votohen për mungesë të kuorumit ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në dinamikën e ulët të punës edhe tek komisionet parlamentare në procesin e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjta nuk po arrijnë të marrin aprovim në parim në seancë.

“Edhe pse jemi gati në përfundim të sesionit pranveror të punës së Kuvendit,  ende nuk është miratuar plan – programin e punës për vitin 2019. Bazuar në programin legjislativ të Qeverisë për Kuvendin, Kuvendi do të ketë për shqyrtim 134 projektligje, që do të jetë shumë sfidë që të përmbushet një agjendë e tillë për shkak të bllokadës në të cilën gjindet”, ka shtuar Haxhiu.

Sipas saj, që nga fillimi i sesionit të ri pranveror, Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 25 ligje apo 18% të agjendës legjislative, ndërkaq në procedurë të shqyrtimit janë edhe 41 projektligje.

Kujtojmë se Kuvendi ka mbajtur seancën e fundit më 30 maj, në të cilën u votua për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. /Indeksonline/