75 Mall Live Search
16:01 / E Mërkurë, 14 Maj 2025 / A. M.

Kuvendi që nuk kuvendon: 15 herë jo

Shkruan: Doruntina Meha

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 15-të të konstituohet. Seanca e fundit u mbyll pa rezultat, sikurse të gjitha para saj, ndërsa përpjekja për të kaluar në votim të fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, përmes krijimit të një komisioni ad hoc, nuk u mbështet nga opozita.

Në këto rrethana, përplasja politike po shndërrohet në një bllokadë tërësore të sistemit parlamentar. Në këtë kontekst, presidentja e vendit ka caktuar një takim me partitë politike më 15 maj, duke synuar të hapë një dialog ndërpartiak për gjetjen e një rrugedaljeje nga kriza.

Paralelisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tashmë ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ka të bëjë me sqarimin nëse është e mundur kthimi nga procesi i votimit të hapur në votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, pas disa dështimeve të njëpasnjëshme përmes votimit të hapur.

Dy rrugë janë tashmë në lëvizje: ndërhyrja politike përmes dialogut dhe ndërhyrja juridike përmes Gjykatës Kushtetuese. Por a është njëra e mjaftueshme pa tjetrën? Nga pikëpamja juridike, është e rëndësishme të sqarohet çdo paqartësi e mundshme që e pengon procesin e konstituimit. Por kjo nuk e zëvendëson nevojën për një vullnet të qartë politik për të gjetur kompromise dhe për të respektuar procedurat institucionale.

Kur mungon vullneti politik, edhe mekanizmat juridikë e kanë efektin e kufizuar. Në thelb, problemi nuk qëndron në mungesë të mjeteve kushtetuese, por në mungesë vullneti për t’i përdorur ato në funksion të stabilitetit institucional. Kur palët nuk duan të gjejnë kompromis, as interpretimi më i qartë i Kushtetutës nuk mjafton.

Vazhdimi i insistimit të njëanshëm për një zgjidhje që nuk ka mbështetje në Kuvend është provë se interesat partiake po vendosen përpara funksionalitetit demokratik. Në të njëjtën kohë, vendimi për të mbyllur seancat në mënyrë të menjëhershme, pa kërkuar alternativa procedurale apo propozime të reja, tregon për një qasje jokonstruktive të drejtuesve të përkohshëm të seancave.

Përvoja në Kosovë ka treguar se shpeshherë ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë ka qenë e pashmangshme në momente të thella bllokade politike. Edhe tani, ndonëse ende nuk është e artikuluar qartë, ekziston pritshmëria që presioni ndërkombëtar të ndihmojë në zhbllokimin e situatës.

Megjithatë, një sistem institucional nuk mund të mbështetet gjithmonë në ndërhyrje të jashtme për funksionimin e vet të brendshëm. Zgjidhja e këtij ngërçi kërkon të dyja: qartësi ligjore dhe gatishmëri për dialog politik. Asnjëra nuk e zëvendëson tjetrën.

Qartësia ligjore është e nevojshme për të siguruar një kuadër të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për veprimet institucionale, ndërsa dialogu politik është thelbësor për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët. Megjithatë, seanca e 16-të nesër mund të përfundojë sërish pa rezultat.