19:13 / E Premte, 01 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kuvendi u heq imunitetin gjashtë deputetëve

Kuvendi votoi heqjen e imunitetit për gjashtë deputet të VMRO-DPMNE-së të cilët dyshohen për veprën “cenim terrorist të rendit Kushtetues dhe sigurisë”. Heqja e imunitetit të 4 deputetëve: Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski, Lupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski u votua me 67 vota, ndërsa me 66 vota imuniteti iu mor Zhaklina Peshevskas dhe Ljuben Arnaudovit. Pro heqjes së imunitetit votuan edhe deputetët e Lëvizjes Besa.

Heqjen e imunitetit deputetëve opozitarë, mazhoranca e quan nevojë të zbardhjes së 27 prillit dhe dhënies së sinjalit se të gjithë janë të barabartë para drejtësisë.

“Ajo ditë e cila u fut në historinë e turpit të shtetit tonë, patjetër duhet të zbardhet që të tentojmë sado që mundemi këtë pikë të zezë ta shlyejmë. Këtë ia kemi borxh edhe drejtësisë por edhe këtij Kuvendi – dekalroi Tomisllav Tuntev, Deputet i LSDM-së.

“Ne të gjithë së bashku duhet të mbledhin forca për ta tejkaluar trashëgiminë e 27 prillit duke respektuar ligjin, sundimin e së drejtës, sundimin e ligjit, duke respektuar institucionet dhe vullnetin e popullit – tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Opozita nuk ishte prezentë në sallë. Paraprakisht, partia e ish Kryeministrit Nikolla Gruevski njoftoi mospjesëmarrjen nën akuzat se LSDM-ja po ushtron revanshizëm dhe se po tenton që në Maqedoni të mos ekzistojë opozitë. VMRO-DPMNE-ja nuk përjashton edhe bojkotimin e Kuvendit.

“VMRO-DPMNE-ja po shqyrton të gjitha mundësitë e mundshme që të kundërshtojë këtë çmenduri dhe të rreshtohet në mbrojtje të njerëzve të cilët pa të drejtë janë pjesë e proceseve të montuara politike pa dallim nëse janë deputet, persona zyrtarë apo edhe qytetarë”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Pas heqjes së imunitetit Kuvendi duhet të njoftojë Gjykatën Penale. Më pas Gjykata të njoftojë policinë e cila ka për obligim t’i sjell para organit hetues. Deputetët e VMRO-DPMNE-së bashkë me 30 persona të tjerë dyshohen për “cenim terrorist të rendit Kushtetues dhe sigurisë” lidhur me zhvillimet e 27 prillit të përgjakshëm.

Ne mesin e të dyshuarve e që më herët Gjykata Penale i caktoi paraburgimin 30 ditorë janë edhe ish drejtori i BSP-së Mitko Çavkov, udhëheqësit e protestave Boris Damovski dhe Bogdan Ilievski, ish drejtori i Operës dhe Baletiti Igor Durllovski, ish shefi i sigurimit të Trajko Veljanovskit, Goran Gjoshevski dhe dy agjentët Oliver Radullov dhe Munir Pepiç.

Ndaj tre personave të cilët ndodheshin në arrest shtëpiak, Gjykata Penale mbrëmë i ka caktuar paraburgim 30 ditorë dhe të njëjtit janë dërguar në burgun e Shutkës. Derisa afatet kohore për ankimin ndaj masave të arrestit po vazhdojnë, policia po punon në gjetjen edhe të 6 personave tjerë të dyshuar po për të njëjtën vepër.