Ky është 59 vjeçari që u plagos me thikë në Shëngjin

Si pasojë e një konflikti sonte në Shëngjin, një 59 vjeçar nga Kosova është plagosur.
Viktima në fjalë është Selim Bllaca, i cili u godit me thikë në zemër.
Bllaca është transportuar për në spitalin e Lezhës, teksa gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e rëndë.
Ai u plagos nga i dyshuari H. B. 66 vjeç, po ashtu me shtetësi kosovare.
Ky i fundit u arrestua dhe nga i njëjti u konfiskua thika me të cilën dyshohet ta ketë kryer krimin.
“Rreth orës 21:00, në Shëngjin, pas një konflikti të çastit, shtetasi kosovar H. B. 66 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin S. B. 59 vjeç, banues po në Kosovë. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë, për tju nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Falë veprimeve të shpejta hetimore operacionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 66-vjeçarit, si autor i dyshuar si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së ftohtë (thikës) e dyshuar e përdorur nga autori. Vijojnë veprimet hetimore nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.” thuhet në raportin e Policisë së Shtetit.

