18:13 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Ky është fjalimi i parë i Shpend Ahmetit, si kryetar i PSD-së (Video)

Shpend Ahmeti, ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kryetar i Partisë Socialdemokrate, pas zgjedhjes së tij.

Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj partie, Ahmeti u bëri thirrje gjithë partisë së tij për të punuar për një jetë të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Përmes këtij Kuvendi, Ahmeti tha se nuk është rastësi pse kanë zgjedhur pikërisht këtë ditë për të mbajtur këtë mbledhje dhe të dalin për herë të parë publikisht.

Pasi, sipas tij, në “Ditën e Evropës”, kur edhe të gjithë pushojnë, duhet të reflektojmë për atë se sa larg dhe afër jemi Bashkimit Evropian.

Sipas tij, e gjitha çka do mundohet të bëj partia e tyre, do të jetë që qytetarët e Kosovës të trajtohen barabartë me qytetarët e tjerë të rajonit.

“Ne themi të shkojmë në Evropë. Shkuarjen në Evropë e shohim si udhëtim, dhe asnjëherë nuk e përmendim se BE duhet të instalohet në Kosovë, sepse ne jemi këtu, ne jetojmë këtu dhe nuk do shkojmë askund. Nuk jemi më shumë kriminel se Serbia, më shumë të korruptuar se Maqedonia dhe nuk jemi më të varfër se Shqipëria, prandaj kërkojmë të trajtohemi normal. Kjo është ajo që duam të luftojmë, për normalitet, për barazi, jo si individ por si shoqëri dhe asnjëherë nuk i kemi bërë keq askujt që të mos trajtohemi të barabartë”, ka thënë Ahmeti.

Më tej, ai ka kërkuar nga gjithë të angazhuarit në partinë e tij që të mundohen ta shtrijnë socialdemokracinë në gjithë Kosovën, duke thënë se duhet të kuptojnë të gjithë kuptimin e mirë të saj.

“Sot në Evropë socialdemokratët kanë harruar të ligjërojnë. Shumë mund të pyesin se çka është ky emër, ku po doni me na kthyer,  se mos jeni komunist, por kur të kuptojnë se çfarë kuptimi ka socialdemokrati, edhe ndryshohet qasja.  Shumica e kanë problem me emrin jo me kuptimin. Vazhdoni të thoni se jemi social demokrat”, ka shtuar ai.

Më tej, Ahmeti është zotuar se do punojnë për një jetë më të mirë të qytetarëve në të gjitha sferat, duke thënë se këtë do e bëjnë së bashku me gjithë qytetarët./Indeksonline/