Ky është futbollisti i Real Madridit që morri dhuratë fanellë e ndeshjes së fundit të Luka Modric

Më herët këtë javë, Luka Modrić bëri paraqitjen e tij të fundit me fanellën e Real Madridit, në humbjen 4-0 ndaj Paris Saint-Germain në Kupën e Botës për Klube.
39-vjeçari ka përfunduar kështu qëndrimin e tij 13-vjeçar në “Santiago Bernabéu”, pasi është vendosur që kontrata e tij të mos rinovohet, dhe shumë shpejt ai do t’i bashkohet Milanit.
Modrić dha intervistën e tij të fundit si lojtar i Real Madridit pas përfundimit të ndeshjes me PSG, dhe tani do të shijojë pak pushim para se të nisë kapitullin e ri të karrierës në Itali.
Para se të largohej, ai dhuroi një kujtim të veçantë për njërin prej shokëve të tij të skuadrës që së shpejti do ta lërë pas.
Modrić u përshëndet me të gjithë në Real Madrid pas rikthimit të skuadrës në Spanjë, dhe imazhet e publikuara nga “El Desmarque” tregojnë momentin kur kroati takohet me Arda Güler në parkingun e aeroportit të Madridit.
Gjatë këtij takimi, Modrić i dhuroi Gülerit fanellën që kishte veshur në ndeshjen ndaj PSG-së – pra fanellën e tij të fundit me Real Madridin. Dyshja ndanë gjithashtu një përqafim të ngrohtë para se të ndaheshin.
Largimi i Modrić nënkupton se fanella legjendare me numrin 10 do të mbetet bosh.
Kylian Mbappé konsiderohet si kandidati kryesor për ta marrë, por nëse ai vendos të vazhdojë me numrin 9, Arda Güler shihet si një pretendent i fortë për ta veshur këtë fanellë ikonike duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
Güler pritet të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për Real Madrid sezonin e ardhshëm, me trajnerin e ri Xabi Alonso që llogarit shumë te ai – siç u pa edhe gjatë Kupës së Botës për Klube. Ai me shumë gjasë do të luajë dukshëm më shumë se në dy vitet e tij të para në klub, ku pati vështirësi për të lënë gjurmë nën drejtimin e Carlo Ancelottit.