Ky është i burgosuri nga Gjilani që ndërroi jetë në Istog

Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi sot se, pas një sëmundje të gjatë, ka ndërruar jetë i burgosuri M.R.
Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23 tetor, në gjendje të rënduar shëndetësore, si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më pare, dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
Burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se personi në fjalë është Murat Rama.
Rama ishte bartur për në Spitalin e Istogut më 26 tetor, por fatkeqësisht humbi betejën me jetën.
“Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut” thuhet në njoftim të SHKK-së.
Shërbimi Korrektues bëri të ditur se ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.