Ky është i dënuari për krime lufte që vdiq sot në Klinikën e Pulmologjisë

Skender Bislimi, i dënuar me 10 vjet burg për krime lufte kundër civilëve, ka vdekur sot në mesditë në Klinikën e Pulmologjisë në SHSKUK.
Ai po e vuante dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe ishte dënuar për krime të luftës ndaj civilëve shqiptarë në rrethinën e Fushë Kosovës.
Për rastin ka njoftuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“I burgosuri që nga fillimi është pranuar me diagnozë hipertension arterial, për të cilën është trajtuar dhe ka pas kontrolle të rregullta tek mjeku i qendrës, tek kardiologu dhe vizita të tjera specialistike”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Pas keqësimit të gjendjes, më 05.11.2021, me rekomandim të mjekut kujdestar, Skender Bislimi është dërguar në SHSKUK dhe është hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë. Përkundër përpjekjeve dhe trajtimit shëndetësor të vazhdueshëm, i burgosuri ka vdekur.
“I njëjti ishte i dënuar me dhjetë vite burgim për veprën penale; Krime lufte kundër civilëve dhe po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë. Stafi mjekësor ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikoj shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/