22:57 / E Enjte, 14 Mars 2019 / indeksADMonline

Inter turpërohet dhe eliminohet nga Europa Ligë

Edhe sezoni 2018-2019 mbyllet pa asnjë trofe për Interin që u eliminua nga Eintracht i Frankfurtit në raundin e 1/8-ave të Europa League.

Ky kompeticion ishte mundësia e vetme që zikaltrit të fitonin një trofe që u mungon që nga viti 2011 kur kanë fituar për herë të fundit Kupën e Italisë.

Interi me shumë mungesa që mezi formonte një 11-she me lojtarët e skuadrës së parë, ia dhuroi vetë kualifikimin gjermanëve të cilët ruajtën nderin e Bundesligës pasi Frankfurti është skuadra e vetme gjermane që vazhdon rrugëtimin në Europë.

Një gol i Luka Jovic pas vetëm 5 minutash që erdhi si rrjedhojë e një gafe të Stefan De Vrij mjaftoi që skuadra e Adi Hutter të mposhte 0-1 Interin në San Siro dhe ta eliminonte nga Europa League.

Interi ishte një skuadër pa busull në këtë sfidë duke u zvarritur gjatë gjithë lojës, madje mund ta kishte pësuar që në fillim por Haller u ndal nga traversa, ndërkohë që Handanovic e shpëtoi skuadrën e Spallettit, nga një humbje me shifra më të thella falë pritjeve të tij.