Ky është NJERIU!

Shkruan: Bekim Sele
Një qenie, që nga natyra e tij, është i ngutshëm! Një qenie, që nga pakujdesia e tij doli nga parajsa, nga një vend “i lartë” në një vend të ulët, “në botë”. Prandaj, është e vetëkuptueshme që njeriu piret të kërkojë problemet dhe pastaj, për pasojë, të lutet për rrugëdalje. Ai në tërsinë e tij, është tepër i çuditshëm; qesh kur flet, dhe flet kur qesh! Shfaqet i shqetësuar, për gjëra koti! Është tepër serioz për gjëra jo serioze! Luan me veten e tij, dhe shpesh akuzon të tjerët, se po luajnë me të. Kërcënon, dhe thotë se po kërcënohet. Kur humb, thirret në fitore, kur fiton, mërzitet. Në fakt, ai është tepër jo serioz… Thotë se nuk beson, e në fakt beson në besimin e tij! Habitet kur dikush e kupton, ndërsa vetëkënaqet kur askush se kupton! Vrapon pas asaj që nuk e njeh, bëhet armik i asaj që e njeh…
Nga e djathta fletë për të majtën, e nga e majta për të djathtën. Kur shfaqet në pasqyrë, përpiqet ta sheh përmbajtjen e pasqyrës. Edhe me e çuditshmja, kur ia qëllon me ndonjë gjë, bëhet kryelartë, për ta dëshmuar qenësinë e vet – boshllëkun e vet! …pra ky është NJERIU! Përpiqet t’i dijë të gjitha, e nuk e di që s’dinë. Herë pas here, thirret në sukseset e tij, e në të kundërtën, nuk është në dijeni për mungesën e tij. Ai mungon kur shfaqet, shfaqet kur nuk kërkohet. Është aty ku nuk duhet, merr nga jeta ato që si bëjnë punë, vrapon duke ecur, ec duke fjetur.
Prandaj është thënë: nuk ka rrezik më të madh për njeriun se humbja e vetvetes, devijimi nga rruga e drejtë dhe zvarritja kah tërbimi dhe hallakatja. Epo, me apo pa dashje, edhe me tutje, ne vazhdojmë të ecim para, në kërkim të asaj që vazhdon të kërkohet: “Njeriu ka nevojë që të strehohet dhe të mbështetet te një Qenie e Lartë, që të jetë i lidhur me të përjetë dhe t’i japë sigurinë e nevojshme në rastet kur mbetet pa rrugëdalje, ose kur përballet me vështirësi të jetës”. Fundja, ky është NJERIU…
Gjynah, shumë gjynah… mos e ngucni, i mjaftoi vetja e tij si shqetësim!