12:30 / E Premte, 09 Dhjetor 2022 / L K

Ky është polici që u plagos mbrëmë në veri!

Mbrëmë Policia e Kosovës është sulmuar në fshatin Serbov të Zveçanit. Aty mbeti i plagosur një pjesëtar i policisë.

Burime të “Indeksonline” bëjnë të ditur se sulmi kishte ardhur nga persona të armatosur me armë të gjata. I plagosur mbeti pjesëtari i NJRSh-së, E. Neziri, nga qyteti i Ferizajt.

“Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kujtojmë se në tri ditët e fundit, Policia është përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur, në kohën kur po bëhen përgatitjet që në katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet për kryetarë komunash.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur.

Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën. /Indeksonline/