Ky është qëndrimi i policisë në Tiranë lidhur me incidentin e djeshëm, gruaja shtatzënë e cila u godit
Një ngjarje e rëndë që mund të konsiderohet edhe e paprecedentë është regjistruar ditën e djeshme në kryeqytet. Policia bashkiake shkoi t’i vendoste hekurat një biznesi në zonën e Doganës. Ata janë përleshur edhe me pronarët e biznesit, të cilët kundërshtuan me forcë vendimin e bashkisë.
Një punonjës i Policise grushtoi në bark një grua shtatzënë. Në pamjet e transmetuar shihet sesi polici në mënyrë skandaloze e godet në bark gruan. Ky veprim ka shkaktuar irritimin e gruas, e cila ka reaguar ndaj policit. Në lidhje me këtë rast policia ka arrestuar një person për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe ka proceduar në gjendje të lirë gruan shtatzënë e cila u dhunua nga polici.
Njoftimi i policisë: Tiranë
Kundërshtuan me dhunë shërbimet e Policisë Bashkiake, vihet në pranga një shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.6, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, të shtetasit M.A., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dhe disa persona të tjerë, më datë 31.07.2019, gjatë vënies së disa kangjellave në trotuarin e rrugës “Dritan Hoxha”, kanë goditur me grushta njërin nga punonjësit e policisë bashkiake dhe i kanë penguar ata për kryerjen e detyrës. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. H., 35 vjeç, banuese në Tiranë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim një publik”. Vijon puna për vënien para përgjegjësisë penale dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme .