75 Mall Live Search
23:44 / E Martë, 12 Korrik 2022 / Gj. Sh

​Ky është rivali i Dritës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës

Ky është rivali i Dritës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës

Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita, është kualifikuar në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës. Djelmoshat e drejtuar nga Ardian Nuhiu, të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë arritur ta përmbysin rezultatin nga ndeshja e parë ndaj skuadrës finlandeze, Inter Turku, duke fituar me shifrat e pastra, 3:0.

Qysh në minutën e dytë gjilanasit kaluan në epërsi. Arbnor Muja depërtoi nga e majta dhe e shtyu topin në zonë, ku në vendin e duhur ishte Marko Simonovski, i cili realizoi për 1:0.

Ky gol bëri që Drita të luajë në vazhdim shumë më e qetë, teksa në fillim të pjesës së dytë të shpërthejë me dy gola tjerë. Në minutën e 49-të Arbnor Muja fillimisht qëlloi shtyllën, derisa topin e kthyer e dërgoi në rrjetë për 2:0. I njëjti futbollist vetëm dy minuta më vonë shënoi sërish, duke e vulosur fitoren e skuadrës së tij. Ky është viti i katërt që Drita merr pjesë në garat evropiane dhe vazhdimisht ka treguar paraqitje të mira.

Në rrethin e dytë, skuadra gjilanase do të takohet me skuadrën belge, Royal Antwerp, më 21 e 28 korrik.