Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, pritet zgjidhja e ngërçit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim lidhur me çështjen e procedurave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në vendimin e gjykatës thuhet se deputetët duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Po ashtu në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po ashtu thuhet se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik “të shpallen të pavlefshme”.
Ndërsa ka ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.
Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të kuvendit për votimin e komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të legjislaturës IX të kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar ngaKO193/25, Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 ë jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata, vendosi:
- TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
- TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;
- TË KONSTATOJË, njëzëri, që kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 ë efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 ë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutë së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;
- TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 ë forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], nenin 7 ë vlerat] dhe nenin 74 ë ushtrimi i funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;
- TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 ë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të seancës konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi;
- TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi;
- T’UA KUMTOJË këtë sktgjykim palëve;
- TA PUBLIKOJË këtë aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që ky aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.