Ky është zyrtari i Komunës së Pejës që e bëri jashtëligjshëm shtetas të Kosovës një të huaj

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka arrestuar sot një zyrtar të gjendjes civile në Komunën e Pejës.
Indeksonline përmes burimeve të veta mëson se zyrtari i arrestuar është 63-vjeçari Halit Gashi.

Gashi e ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj duke mos i përfillur procedurat ligjore të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile.
I dyshuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke e vërtetuar, regjistruar dokumentin me të dhëna të rreme.
Personi i huaj, ishte regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile në KK Pejë në mënyrë të kundërligjshme, kinse është shtetas i Republikës së Kosovës, me këtë rast ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet identifikuese (pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shofer).
I dyshuari Halit Gashi është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës me aktvendim të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje për 48 orë.