Ky shtet buzë kolapsit me pacientët me Covid, kërkon ndihmë nga tri shtete
Republika Çeke ka kërkuar ndihmë nga tri shtete evropiane në lidhje me pacientët e prekur nga Covidi-19 për shkak të përkeqësimit të situatës.
Ministria e Shëndetësisë në Çeki tha të premten se kërkesa u bë për shkak të gjendjes kritike në spitalet e vendet, shkruan Reutersi.
“Numri i madh i pacientëve të infektuar së fundi e ka shtuar trysninë ndaj sistemit shëndetësor dhe numri i pacientëve që kanë nevojë për shtrime është duke u rritur”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.
Deri tani, Republika Çeke ka regjistruar rreth 1 milion e 300 mijë persona të prekur nga Covidi-19 dhe mbi 21 mijë të vdekur, sipas faqes “Worldometers”.
Vendet e Bashkimit Evropian janë të shqetësuara rreth përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit, sidomos variantit të identifikuar së pari në Britaninë e Madhe, për të cilin besohet se përhapet shumë më shpejt se varianti fillestar.
Kreu i institutit gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka thënë se varianti britanik mund të bëhet variant mbizotërues, në Gjermani.