12:59 / E Premte, 29 Maj 2020

La Liga rifillon në 11 qershor, zbulohet plani por edhe data e nisjes së sezonit të ri!

La Liga ka tashmë një plan të qartë për rifillimin e kampionatit. Ka konfirmuar gjithçka presidenti i ligës spanjolle të futbollit Javier Tebas megjithatë që rinisja e sezonit të marrë formë zyrtare duhet konfirmimi i Ministrisë Spanjolle të Shëndetsisë. Plani i numrit 1 të ligës së futbollit Tebas është që edicioni 2019-2020 i La Ligas të rifillojë më 11 qershor dhe të përfundojë në datën 19 korrik. Një tur force prej 39 ditësh ku do të ketë ndeshje çdo ditë pa ndërprerje. Gjithçka do të rinisë ditën e enjte në datë 11 qershor me derbin e Andaluzisë ndërmjet Real Betis dhe Sevillas. Po në datë 11 do të luhen edhe minutat e mbetura të ndeshjes së ndërprerë të La Liga 2 mes Rayo Vallecanos dhe Albacetes.

Në këtë mënyrë nga 11 qershori do të ketë ndeshje çdo ditë, sfida të cilat do të luhen në tre fasha oraresh 19:30, 21:30 ose 22:00, ndërsa në fundjavë do të shtohet edhe një orar i ri ai 17:30. Deri në fund të këtij sezoni janë për t’u luajtur edhe 11 raunde me Barcelonën që aktualisht kryeson kampionatin me 2 pikë avantazh ndaj Realit të Madridit. La Liga ka vendosur kështu datën e rifillimit dhe vetëm në rast të ndonjë ngjarjeje të jashtëzakonshme kampionati nuk do të rifillojë në datën 11 qershor ndërkohë që është përcaktuar edhe data e nisjes së sezonit të ri atij 2020-2021 që do të jetë 12 shtatori.

Mos i humb