18:47 / E Hënë, 08 Janar 2024 / Gj. Sh

Laborator i ri në Fiek nga Neptun Kosova

Këtë vit akademik, Neptun Kosova realizoi një laborator modern teknologjie për studentët e FIEK në Prishtinë. 440 studentët e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike tashmë kanë edhe një laborator të ri, për një proces mësimor më konkret, si dhe për të zbatuar projektet e tyre të fakultetit.

Prof. Asoc. Dr. Qamil Kabashi shprehu mirënjohje në emër të institucionit për kompaninë që përmirëson infrastrukturën teknologjike në laboratorët e fakultetit. “Bashkëpunimi me Neptun Kosova është një model i kontributit që sektori privat mund të japë për botën akademike, e cila përgatit profesionistët e ardhshëm”, u shpreh prof. Kabashi.

Laboratori i rinovuar ka kapacitet prej 42 postesh pune, të plotësuara me laptop, tavolinë dhe karrige, në përshtatje me kurrikulën e fakultetit. Kaltrina Hoxha, Drejtoreshë e Marketingut në Neptun Kosova, thotë se “zgjidhjet teknologjike që kompania ofron për publikun, tani janë edhe në duart e studentëve, me urimin për të marrë më të mirën e potencialit rinor në dobi të shoqërisë”.

Neptun Kosova, ashtu si Grupi BALFIN ku kompania bën pjesë, ka në vëmendje edukimin, si mënyra e duhur për përgatitjen e qytetarëve e të nesërmes. Një vit më parë, Neptun Kosova dhuroi laptopë për studentët e dalluar të këtij fakulteti, si një mbështetje frytdhënëse për të rinjtë e talentuar.