19:36 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Lahi Brahimaj: Gabim arrestimi i Shkumbin Demaliajt, u keqkuptua deklarata e tij!

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj ka reaguar lidhur me arrestimin e kolegut të tij, deputetit Shkumbin Demaliaj.

Sipas tij, deputetët ose anëtarët e Aleancës asnjëherë nuk e kanë kundërshtuar bashkëpunimin me organet e drejtësisë.

Brahimaj konsideron se Demaliaj ka bërë apel dhe se deklarata e tij nuk ka qenë kërcënim fizik.

“Deputet e AAK-së nuk e kanë kundërshtu bashkëpunimin me policinë, që do të thotë se Shkumbini i është përgjigjur një ftese , ku aty është ndaluar për 48 orë. Demaliaj dhe çdo luftëtar në asnjë rrethanë nuk ka luftu dhe nuk lufton me kërcënu , deklarata e tij ka qenë një apel dhe nuk është kërcënim fizik”, ka theksuar ai në një bisedë për Indeksonline.

Brahimaj, konsideron se është e drejtë e tij legjitime ta ndjekë prokurorin Elez Blakaj, privatisht.

“Është e drejtë e tij legjitime me thonë që nëse shteti nuk ndërmerr masa kundrejt këtij mashtruesi, mundet me ligj me ndjek privatisht. Z. Demaliaj do t’i bëjë padi private dhe ka drejt legjitime edhe kryeministrin edhe presidentin, edhe një gazetar edhe një prokuror kur ju ka shkelë e drejta e tij, që do ta ndjekë prokurorin, dhe mendoj se kështu në këtë kontest ka qenë deklarata e tij.”, ka thënë ai tutje gjatë bisedës.

Brahimaj, vlerëson se do të ketë zgjidhje për çdo komandant, luftëtarë e veteranë. Vlen të përmendim faktin se deputeti Shkumbin Demaliaj është ndalur për 48 orë, pas deklaratave kërcënuese që i ka bërë kundrejt prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj./Indeksonline/