16:23 / E Enjte, 01 Dhjetor 2022 / LB

Lajçak i lumtur për vendimin e djeshëm për vizat

I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu dhe liberalizimi i vizave kanë qenë procese të ndara dhe se mbetet ende një vendim politik për tu marrë.

Në një intervistë për Kanal 10, e cila transmetohet sonte, ai ka thënë se gjithmonë ka qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Më tej, ai ka thënë se nuk do të lejojë që procesi i heqjes së vizave dhe ai i dialogut të kushtëzohen apo ndikohen.

z.Lajçak, opinioni publik ka marrë lajme të mira dje sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Lajmi është se më së largu në janar 2024 qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. A e shihni procesin e liberalizimit të vizave të lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Liberalizimi i vizave nuk është i lidhur me dialogun, ka qenë gjithmonë një proces i veçantë. Unë kam qenë gjithmonë pro dhënies së statusit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe jam shumë i lumtur për vendimin e djeshëm. Mbetet ende një vendim zyrtar për t’u marrë në nivel politik. Por me të vërtetë shpresoj dhe pres që kjo të jetë thjesht një formalitet. Por ajo që është shumë e rëndësishme është se Kosova tani ka një date dhe kjo datë do të vijë së shpejti. Me të vërtetë mendoj se është një lajm i madh dhe nuk shoh që kjo të ndikohet apo të kushtëzohet nga progresi në dialog. Unë do të jem i pari që do të ngre zërin kundër kësaj sepse siç thashë, janë dy procese të ndara dhe Kosova i ka plotësuar kushtet për të lëvizur lirshëm pa viza dhe për këtë arsye unë do ta konsideroja këtë konfigurim kundërproduktiv dhe sigurisht që nuk e mbështes”, ka thënë ai.