75 Mall Live Search
09:18 / E Mërkurë, 07 Qershor 2023 / MSH

Lajçak i thotë Vuçiqit të kontribuojë në zgjidhjen e krizës në veri

Pasi i shkuan në takim kryeministrit Albin Kurtit dhe Opozitës, dy emisarët nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u nisen drejt Beogradit.

Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar janë takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin kanë biseduar për situatën në veri.

Lajçak ka ndarë detaje nga ky takim, duke thënë se Vuçiq shprehi gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

“Në Beograd, Escobar dhe unë patëm diskutime të gjata me presidentin Aleksandar Vuçiq, për gjendjen komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nevojitet urgjentisht një zgjidhje politike për krizën aktuale. Ne e vlerësuam gatishmërinë e tij për të kontribuar në këtë” ka thënë Lajçak.

Emisarët Escobar dhe Lajçak u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin masa në de-përshkallëzimin e situatës në veri.

Ata i kanë caktuar ultimatum Qeverisë, e cila nëse nuk përgjigjet edhe sot në propozimet e tyre, do të thotë se Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.