75 Mall Live Search
21:46 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

Lajçak thotë se në Prishtinë, i ka dorëzuar Kurtit disa dokumente

Miroslav Lajçak, emisar i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se gjatë vizitës në Kosovë gjatë takimit me Kurtin i ka ofruar atij disa dokumente.

Këtë e ka konfirmuar vet  Lajçak.

“Këtë dokument dhe disa dokumente tjera ia kam dorëzuar Albin Kurtit, sepse ai duhet të ketë informacione të plota. Për mua ishte e rëndësishme që ai të formulojë tani platformën, programin dhe prioritetet e tij duke u informuar për krejt ato që duhet ditur kur është dialogu në pyetje”, tha mes të tjerash Lajçaku në një intervistë për televizionin serb N1.

Lajçaku arsyetohet se dokumentet në fjalë nuk janë publike.

E nga Lëvizja Vetëvendosje as nuk mohojnë e as pohojnë pranimin e dokumenteve nga emisari i BE-së, ani se konfirmojnë informimin e tij mbi procesin e dialogut në përgjithësi dhe zhvillimet e deri tanishme në këtë proces pas rifillimit të tij.

“Në të njëjtën kohë Kurti e ka njoftuar Lajçak për prioritetet e qeverisë së re, pra punësimin dhe drejtësinë, dhe mbi atë se cila konsiderohet që mund të jetë qasja ndaj dialogut. Në atë takim të dy janë pajtuar se dialogu është i rëndësishëm dhe se ai duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë”, ka thënë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.