Lajm fantastik, po ndërtohet shtëpia e familjes që ka 16 fëmijë dhe jeton në kushte të rënda
Shumë shpejtë me kulm mbi kokë do të bëhet 42-vjeçarja, Bahrie Gashi-Mustafa dhe 16 fëmijët e saj, njofton Indeksonline.

Për gjendjen e rëndë në të cilën jetonte Bahrie Gashi-Mustafa dhe fëmijët e saj, muaj më parë kishte treguar vetë zonja.
Ajo në një intervistë për Indeksonline kishte thënë se e kishin të pamundur të siguronin të hollat për të ndërtuar një shtëpi, pasi rroga e bashkëshortit të saj nuk mjaftonte as për shpenzimet elementare.

Mirëpo, lajmin për fillimin e ndërtimit të shtëpisë, përmes Facebook e ka bërë të ditur Lavdim Gashi.
Ai ka shkruar se kanë nevojë për mjete financiare shtesë në mënyrë që të përfundojnë shtëpinë.

“Po ndërtohet shtëpia e nënës së 16 fëmijëve e cila tash e 20 vite jeton nëpër shtëpi të braktisura. Ne e nisëm dhe e lusim Zotin të na e mundësoj me e përfunduar komplet këtë shtëpi ngase nevoja është të bëhet një shtëpi më e madhe se shtëpitë e zakonshme dhe fatkeqësisht nuk janë të siguruara të gjitha mjetet financiare për ta përfunduar komplet shtëpinë”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Mjetet për ndërtimin e kësaj shtëpie janë siguruar nga organizata “Islamic Relief Kosova”. /Indeksonline/
