12:08 / E Martë, 07 Korrik 2020 / indeksADMonline

Lajm i keq, dy futbollistë të Vushtrrisë me simptoma të koronavirusit – kjo është gjendja e tyre

Gjendja pandemike në vendin tonë është duke u rënduar. Në ditët e fundit numri të infektuarve është rritur dukshëm po thuajse në të gjitha qytetet.

Një ndër qytetet më të prekura me Covid-19 është Vushtrria dhe e kuptueshme që të rrezikuar janë edhe futbollistët e klubit të Vushtrrisë, që bën gara në IPKO Superligën e Kosovës.

Presidenti i Vushtrrisë, Bajrush Kajtazi në një prononcim për Insport është shprehur tejet i shqetësuar me gjendjen aktuale, duke deklaruar se dy futbollistë të klubit janë me simptoma të Covidit-19, madje njëri është në gjendje të rëndë.

“Dy futbollistë janë me simptoma të Covidit-19, që të dyve ua janë shfaqur pas ndeshjes së fundit me KF Flamurtarin. Për momentin ata janë të izoluar por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes, madje njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Ditëve në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit e Kosovës duhet të marrë masa dhe të testohemi të gjithë, së bashku me dy klubet që jemi përballur dy xhirot e fundit, që janë KF Ballkani dhe KF Flamurtari”.

Sipas Kajtazit, simptomat e tyre janë temperatura dhe lodhja. Pas ndeshjes me Flamurtarin njëri prej tyre në dhomat e zhveshjes ka shqetësuar gjithë skuadrën pasi gjendja e tij ishte e rëndë.

Vushtrria në xhiron e 28-të ishte nikoqire e KF Flamurtarit në kuadër të IPKO Superligës së Kosovës. Kjo ndeshje përfundoi me rezultat baras 2:2.